BONUSE DHE SHPËRBLIME NDIHMË PËR AUTORËT.

Pandemia globale që ka pushtuar botën – përveçse një krizë shëndetësore e humanitare – tashmë është e qartë që do të reflektohet edhe në një krizë ekonomike të thellë për shumë vende, duke nisur të jape impaktin e parë në shumë aspekte të funksionimit të jetës njerëzore, ndërsa pritet që efektet e rënda recesive të pasqyrohen më shumë në muajt e ardhshëm. Në këto kohë të pasigurta, ashtu si shumë sipërmarrje të tjera, edhe Agjencitë për të Drejtat e Autorëve po ndeshen me vështirësi dhe probleme serioze në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e aktivitetit. Tashmë, në një situatë kaq serioze, krijuesit në mbarë botën janë përballur me një rënie, ose ndërprerje të plotë të veprimtarisë së tyre, por nuk duhet harruar se autorët dhe kompozitorët, të cilët janë lidhja e parë në zinxhirin krijues, janë gjithashtu edhe më të brishtët, pa pagë dhe pa përfitime nga statusi i papunësisë.
Organizata Botërore e Autorëve CISAC (në të cilën është anëtare edhe Albautor), është interesuar për të mësuar më shumë rreth gjendjes aktuale të zhvillimit të aktivitetit të agjencive partnere e bashkëpunuese të saj, në vende të ndryshme të Europës e më tej. Pothuajse të gjitha shoqatat për të drejtat e autorëve në vende të tjera, raportojnë probleme serioze e shqetësuese në lidhje me vazhdimësinë e mbledhjes së fondeve për krijuesit e tyre gjatë kësaj periudhe, kur jeta ka ndalur dhe ekonomia ka ngrirë në aspektin e zhvillimit. Në një letër publike drejtuar gjithë krerëve të qeverive (përfshirë Kryeministrit Rama), Presidenti i CISAC Jean Michel Jarre (Pionieri i muzikës elektronike), ka kërkuar marrjen e masave urgjente në mbështetje të krijuesve si një nga kategoritë më të prekura nga kriza aktuale.

    Në Austri autorëve i është ofruar ndihmë financiare/ Grant deri në 15 Mijë Euro për person/publikues, ndërkohë që qeveria austriake është ende duke shqyrtuar mundësinë e dhënies së ndihmës në fonde të tjera shtesë, por ende pa një vendim konkret. Ndërkohë, në Francë, Ministria e Kulturës njoftoi krijimin e ndihmave urgjente për sektorin e kulturës: një fond prej 2 milion euro drejt Arteve të Bukura - për galeritë e artit, qendrat artistike dhe autorët artistë, fond fillestar prej 5 milion euro për sektorin letrar, nga Qendra Kombëtare e Librit, për t'iu përgjigjur vështirësive të menjëhershme të redaktorëve e autorëve letrarë, si dhe lehtësime të tjera në lidhje me shpenzime të kryera për ngjarje të anuluara, rregullime pagash e kontributesh sociale, mos-penalizim për pagesa të vonuara, etj.
    Në Gjermani, ku operon Agjencia “GEMA”, është lëshuar programi i emergjencës me ndihmë financiare prej 40 Milionë euro, për të adresuar dy ndër sektorët më në vështirësi, që janë kompozitorët e tekstshkruesit, të cilët janë njëkohësisht edhe interpretues, ndaj përballen me vështirësi financiare për shkak të anulimit të koncerteve live. Anëtarët e “Gema”, që janë edhe interpretues, mund të kërkojnë pagesa paraprake. Gjithashtu, është aktivizuar në veçanti Fondi i Ndihmës Corona, për t’u dhënë mbështetje individuale anëtarëve në situata të pasigurta.
    Në Mbretërinë e Bashkuar është aktivizuar Fondi i Emergjencës nga PRS, i cili do të jetë i mundshëm për të gjithë anëtarët e PRS, të cilët po përballen me vështirësi financiare. Ky fond do të jetë i vlefshëm për anëtarët që janë pjesë e PRS për dy vjet dhe që kanë fituar mbi 500£ brenda këtyre dy viteve të fundit. Granti do të jepet vlerësuar në bazë të nevojave individuale të aplikuesve dhe mund të mbërrijë deri në 1000£.
    Agjencia “Artisjus” në Hungari po planifikon nisjen e një programi të jashtëzakonshëm të përkrahjes sociale për autorët, me një fond prej rreth 300 mijë Euro. Nga ana tjetër, shoqata ZAIKS në Poloni po bën përpjekje në forma të ndryshme për të mbështetur krijuesit e saj. ZAIKS planifikon t’i drejtohet Kryeministrit të vendit për mbështetje financiare për autorët dhe interpretuesit, të cilët në situatën aktuale kanë humbur burimin e të ardhurave, si rezultat i anulimit të gjithë aktiviteteve artistike, koncerteve, etj. Gjithashtu, ata duan të mobilizojnë të gjithë subjektet transmetues publikë, që të transmetojnë sa më shpesh muzikën kombëtare të autorëve vendas, si edhe për letërsinë, dramaturgjinë e kinematografinë me transmetimin e filmave, pjesëve teatrale, etj., në mënyrë që të minimizojnë sadopak efektin e humbjes prej anulimit të ngjarjeve kulturore e koncerteve. Një tjetër mundësi është marrja në konsideratë e tërheqjes nga ekzekutimi i taksës mbi të ardhurat personale nga të drejtat e autorit për një periudhë të caktuar. Ndërkohë, pagesa e mirëqenies që u ofrohet krijuesve në situata të vështira, tani është rritur me 150%.

Gjatë krizës aktuale, i gjithë stafi i Albautor është mobilizuar për të siguruar vazhdimësinë maksimale të veprimtarisë së agjencisë, duke vijuar punën serioze e të dedikuar, në përshtatje me kushtet e reja që ka diktuar e gjithë situata paralizuese e pandemisë. Në veçanti, Albautor është duke punuar fort, për të siguruar shpërndarjen e të ardhurave për anëtarët tanë sipas planifikimit të punës, shumë shpejt, si edhe për të garantuar vazhdimësinë e mbështetjes sonë për të gjithë krijuesit shqiptarë në këtë periudhë të vështirë.
Gjithashtu, Albautor i bën thirrje autoriteteve publike, që këto profesione delikate – si të autorëve, kompozitorëve, shkrimtarëve, etj., - të cilat janë në zemër të krijimit artistik - të integrohen edhe në planin e qeverisë për të mbështetur ekonominë dhe punëtorët që gjenden përballë vështirësive ekonomike në këtë kohë të pasigurt.