Pyetjet drejtuar Albautor

E Drejta e Autorit, është e drejta e pronësisë së autorit (krijuesit) të një vepre artistike. Çdo vepër artistike ka një krijues (pronar) të saj, i cili në cilësinë e pronarit e përdor veprën (objektin në pronësi) sipas dëshirës së tij. Njësoj vepron çdo pronar tjetër me sendet në pronësi të tij.

E drejta e autorit duke qenë se i referohet krijimeve të natyrës intelektuale ka veçoritë e veta, por nuk duhet të harrojmë që kemi të bëjmë gjithmonë me një marrëdhënie të pastër pronësie. Pronari (autori) ka të drejta ekskluzive ta mbajë të fshehur veprën, ka të drejtë të shkatërrojë atë, ta modifikojë veprën, ka të drejtë ta dhurojë, ta shesë, ka të drejtë ta japë me qira apo ka edhe të drejtë ta japë për përdorim atë tek persona të tjerë, etj. Njësoj si për pronat e tjera të tundshme apo të patundshme, autorët e veprës kanë të drejta të njëjta në sistemin e bashkëpronësisë mbi veprën sipas pjesëve të kontributit të tyre ne vepër të rënë dakord në momentin e krijimit të veprës.

Pjesa e veçantë e shfrytëzimit të veprave artistike ka të bëjë me faktin e përdorimit të të njëjtës vepër në mënyrë masive në të njëjtën kohë, si dhe lehtësia e aksesit në posedim të kësaj prone. Për sa i përket mundësisë së përdorimit të veprave në mënyrë masive në të njëjtën kohë, ekziston në fushën e të drejtave të autorit një sistem i administrimit kolektiv të këtyre të drejta e kryer nëpërmjet një Agjencie të Administrimet Kolektiv, siç është rasti i Albautor për territorin e Republikës së Shqipërisë.

Për sa i përket pjesës së aksesit të lehtë në posedimin e pronës (vepër artistike), kjo nuk përbën në asnjë rast mundësi për të shkelur të drejtën e pronësisë së autorëve pronarë. Kush abuzon me pronën e tjetrit është fajtor, pavarësisht se sa të lehtë e kishte mundësinë e abuzimit.

Albautor është Agjencia Shqiptare e Administrimit Kolektiv të së Drejtës së Autorëve krijues. Koncepti i Agjencisë Kolektive ka të bëjë me faktin se të drejtat e autorit në disa fusha të jetës ekonomike e shoqërore nuk mund të administrohen individualisht. Për të dhënë një shembull më konkret po i referohemi përdorimit të veprave muzikore nga lokalet, restorante, Radio, TV, hotele, etj.

Secili nga aktivitetet e mësipërme shfrytëzon rregullisht dhe masivisht vepra artistike. Duke qenë se këto subjekte po shfrytëzojnë pronën e dikujt tjetër, duhet t’i marrin pronarit autorizim për sa herë do shfrytëzojnë këtë vepër artistike. Në këtë situatë, duke qenë se është praktikisht e pamundur që të merret autorizimi nga çdo pronar brenda secilës vepër, ligji i njeh këtë lloj funksioni Agjencisë Kolektive kompetente për territorin. Pra Albautor, është i autorizuar në mënyrë indirekte nëpërmjet ligjit për të përfaqësuar të drejtat e autorëve që të lëshojnë autorizime (licenca përdorimi) për tërësinë e veprave që përdorin këto subjekte. Me këtë sistem, subjekti përdorues paguan një tarifë fikse vjetore sipas volumit të veprimtarisë së tij ekonomike dhe konsiderohet nga ligji se është i autorizuar nga kolektiviteti i autorëve pronarë të veprave. Nga ana tjetër autorët do të paguhen për shfrytëzimin e veprave të tyre nga ana e Agjencisë Kolektive ku janë regjistruar, pra në Shqipëri nga Albautor.

Për sa i përket autorëve të huaj të regjistruar në Agjencitë Kolektive partnere të Albautorit, këto të fundit paguhen nga Albautor për pjesën e tyre përkatëse. E njëjta gjë ndodh për veprat e autorëve shqiptarë të përdorura në territorin e shteteve të tjera. Pra tek Albautor dërgohen rregullisht nga jashtë vendit pagesat për autorët shqiptarë veprat e të cilëve janë përdorur në ato territore. Duke filluar nga viti 2020, në vijim të një aktiviteti të gjerë të zhvillimit teknologjik dhe partneritetit me agjencitë ndërkombëtare të së drejtës së autorit, në Albautor mblidhen të ardhurat nga jashtë vendit për të gjitha veprat e autorëve shqiptarë të anëtarësuar të përdorura në platformat dixhitale online, si Youtube, Spotify, Facebook, etj.

Çdo krijues dhe çdo vepër artistike e krijuar prej tyre duhet të regjistrohet paraprakisht në Albautor në mënyrë që kjo e fundit të ketë mundësinë efektive për të identifikuar përdorimin e veprave të tyre dhe të kryejë shpërndarjen. Çdo vepër e paregjistruar në Albautor apo në Agjencitë e huaja partnere, nuk mund të identifikohet nga sistemet kompjuterike të monitorimit dhe për rrjedhojë të ardhurat e mbledhura nën zërin “Vepër e paidentifikuar” i kalohen Ministrisë së Kulturë në një fond të veçantë që shkon për nevojat e Ministrisë (Neni ___ i Ligjit për të Drejtën e Autorit).

Çdo krijues mund të regjistrohet tek Albautor duke u paraqitur personalisht ne zyrat e Albautor ose duke kontaktuar në telefon ose email si më poshtë:

Bulevardi “Bajram Curri”, 114, kati 2, ap. 1 (përballë ish Ekspozitës).
Tel:+355 44 529 797
Email:info@albautor.net

Në momentin e anëtarësimit plotësohet një fomular nga autori si dhe përgatitet e dorëzohet lista e veprave artistike të krijuara. Lista e veprave mund të dorëzohet edhe në një moment tjetër, si dhe mund të pasurohet në çdo kohë me krijimet e reja.

Anëtarësimi në Albautor, është falas dhe nuk kërkon asnjë lloj tjetër impenjimi nga ana e autorëve përveç deklarimit të rregullt të veprave të reja të krijuara prej tyre.

Anëtarësimi në Albautor është mjeti i vetëm për mbrojtjen e të drejtave të autorit të veprave të cilat transmetohen masivisht dhe shfrytëzohen ekonomikisht nga subjektet private. Kush nuk anëtarësohet, thjesht nuk përfiton nga këto të ardhura. Një autor i pa anëtarësuar përfiton vetëm nga të ardhurat e veprimtarisë së tij individuale dhe nuk ka mbrojtje kolektive. Gjithashtu anëtarësimi në Albautor krijon mundësinë e mbrojtjes dhe konsulencës ligjore falas në fushën e të drejtës së autorit, jep mundësi njohje dhe promovimi të krijimtarisë dhe në përgjithësi kufizon mundësinë e abuzimit më veprën e tyre nga persona të tjerë.

Anëtarësia në Albautor i nënshtrohet vullnetit të lirë të kujtdo. Anëtarësimi mbaron vetëm në bazë të një deklarate me shkrim nga vetë autori dhe i jep efektet me fillimin e vitit të ardhshëm kalendarik e fiskal.

Po patjetër. Kushdo autor deklaron pjesën e tij të kontributit në vepër. Bashkautorët e tjerë nuk janë të detyruar të jenë pjesë e Albautor. Çdo vepër e regjistruar pjesërisht, përfiton të drejtat vetëm për atë pjesë të veprës që është regjistruar ndërkohë që pjesa tjetër nuk njihet ndërkombëtarisht si pjesë me autor e për pasojë nuk ka kundërshpërblim për pjesën e paregjistruar. Nga pikëpamja praktike, një vepër e regjistruar me autorësi të plotë, njihet automatikisht nga sistemet kompjuterike të identifikimit me kollaj dhe sjell më shumë të ardhura për secilin prej autorëve se sa regjistrimi i pjesshëm i veprës. Në momentin e krijimit të veprës autorët duhet të bien paraprakisht dakord për pjesën e tyre të bashkëautorësisë.

Pjesa takuese përcaktohet në bazë të marrëveshjes midis vetë autorëve në momentin e krijimit të veprës. Bashkëautorët janë të lirë të caktojnë vetë edhe në një moment të mëvonshëm pjesën takuese në përqindje brenda veprës.

Në rast të mungesës së një marrëveshjeje të tillë midis autorëve, Këshilli i Drejtues i Albautor, bazuar në traditën e mëparshme, ka vendosur në parim ndarjen e përkatësisë së veprës në masën: 40% kompozitori, 40% autori i tekstit, 20% orkestruesi. Në rast se brenda një vepre ka dy ose më shumë autorë të tekstit, ose muzikës, përqindja më sipër ndahet në pjesë të barabarta midis bashkëautorëve.