Viti 2017 ka qenë përsëri një vit i vështirë për të drejtën e autorit në Shqipëri. Megjithatë në këtë vit, me mbështetjen e madhe të Ministrisë së Kulturës, janë hedhur bazat për funksionimin e një sistemi të drejtë e të ligjshëm, duke vendosur kështu bazat për një funksionim masiv të së drejtës së autorit në mbrojtje të të gjithë interesave ekonomike të autorëve dhe artistëve. Me miratimin e Sistemit të ri tarifor për të drejtën e autorit nga ana e Ministrisë së Kulturës janë hedhur bazat për mbledhjen e plotë të së drejtës së autorit nga të gjithë subjektet përdoruese në Republikën e Shqipërisë.

Pikërisht në momentin që ligji do të fillonte të funksiononte normalisht, grupi më i madh i mediave shqiptare ka paditur në Gjykatën Administrative të Apelit Sistemin Tarifor, duke kërkuar anulimin e tij të plotë. Më këtë kërkesë faktikisht kërkohet bllokimi i të gjithë Sistemit të mbledhjes të së drejtës së autorit nga përdoruesit, përfshirë dhe përdoruesit jo mediatikë si bare dhe restorante, me synimin e vetëm bllokimin e zhvillimit të së drejtës së autorit në Shqipëri. Janë pikërisht këto media që prej shumë vitesh vazhdojnë prapë të abuzojnë dhe mos paguajnë asgjë në shkëmbim të përdorimit masiv të veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilat kërkojnë të mos funksionojë asnjë herë mbrojtja e autorësisë në Shqipëri.

Top Channel, Klan, Vizion+, Digitalb, Top Albania Radio, Tring, RTSH, Abissnet, etj, kërkojnë të gjithë të bashkuar që të anulohet akti bazë për funksionimin e ligjit për të drejtën e autorit në Shqipëri, pa pasur asnjë argument juridik, por vetëm forcën e imponimit të pushtetit të tyre të gjerë mediatik. Jo më kot asnjë nga këto media dhe shumë të tjera të bashkuara me to, nuk kanë publikuar asnjë lajm të vetëm për këtë proces pasi duan që ky proces të kalojë në heshtje e nën presionin e fshehtë të tyre.

Të ndodhur në një situatë të tillë, mbetet e nevojshme mbështetja e gjerë ndaj Sistemit Normativ në procesin gjyqësor me pjesëmarrjen masive të autorëve dhe artistëve gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore të radhës, ditën e premte në datë 22 Dhjetor ora 10.30 pranë Gjykatës Administrative të Apelit (Rruga e Durrësit, ish – Ministria e Mjedisit), ku komuniteti ynë të tregojë forcën e vet në mbrojtje të të drejtave të tij legjitime e të përdhosura deri më tani. Në këtë kuadër Ju ftojmë të merrni masa për praninë tuaj në proces si dhe të njoftoni çdo autor apo artist që dëshiron të përçojë zërin e tij, të paraqitet në gjykatë ditën e premte.

Gjithashtu duhet të luftojmë terrin mediatik, duke publikuar secili prej nesh në rrjetet sociale, këtë njoftim, të kontaktojmë çdo gazetar të mundshëm, me çdo media të pavarur që kjo ngjarje të mos kalojë në heshtje, sipas dëshirës së klaneve mediatike.

Duke Ju falënderuar për mbështetjen.
Këshilli Drejtues i Albautor
Albautor