Marrëdhënia E Autorëve Me Agjencitë Kolektive
Misteri I Regjistrimit Në Agjenci Të Huaja

Oltion Spiro

Marrëdhënia ndërmjet autorëve dhe agjencive kolektive që mbrojnë interesat e tyre, në raport me përdorimin e veprave nga përdoruesit rregullohet nga ligji për të drejtat e autorit. Sigurisht, rëndësia e rregullimit të këtyre marrëdhënieve me ligj është themelore sepse, në bazë të kontratës së lidhur me agjencitë, autori i kalon atyre të drejtat që gëzohen dhe vihen në zbatim nga vetë autori. Për këtë arsye, ligji, përveç parashikimeve të nevojshme që duhet të përmbajë kontrata, parashikon dhe masa të tjera të nevojshme që sigurojnë transparencën e aktivitetit të agjencive, në mënyrë të veçantë, çështjet financiare, pasi misioni kryesor i agjencive është shpërndarja e të ardhurave për anëtarët e tyre (për shembull autorët e veprave muzikore, në rastin e agjencisë Albautor).

Agjencitë kolektive janë gjithashtu të kontrolluara dhe të mbikëqyrura nga organet përgjegjëse, konkretisht Drejtoria e të Drejtave të Autorit, pjesë e ministrisë së Kulturës. Kjo mbikëqyrje ka si pikënisje licensimin e këtyre agjencive nga ministria e Kulturës, për kryerjen e aktivitetit të tyre, sipas parashikimeve ligjore. Një nga kriteret që vlerëson ministria është dhe marrëdhënia që agjencitë kanë me agjencitë simotra në botë. Marrëdhënia me to është shumë e rëndësishme në shumë aspekte, por më kryesori është se përdorimi i veprave në një territor të caktuar, konkretisht Shqipërinë, përfshin vepra shqiptare dhe të huaja, ose thënë ndryshe, vepra që krijohen nga autorë që janë anëtarë të agjencive të huaja dhe vepra që krijohen nga autorë që janë anëtarë të agjencisë shqiptare. Në fakt, anëtarësia në një agjenci nuk lidhet me shtetësinë e autorit: një autor mund të jetë shumë mirë anëtar i një agjencie të një shteti tjetër. Dhe kjo është mëse normale nëse do të merrnin në konsideratë lirinë që ka një autor të anëtarësohet në një agjenci ku ai ka më shumë interesa: për shembull, vepra e tij njeh një përhapje të konsiderueshme në disa shtete të ndryshme, në mënyrë më direkte dhe të ndjeshme në shtetin e agjencisë ku ai është regjistruar. Autorit nuk mund t’i vendosen kufinj ose pengesa në zgjedhjen e agjencisë ku ai dëshiron të anëtarësohet, me përjashtim të detyrimeve të natyrës administrative që burojnë nga funksionimi normal i agjencisë ku ai ishte anëtar (për shembull, të vendoset një afat njoftimi përpara se ai të çregjistrohet nga anëtarësia në këtë agjenci). Ndryshimi i agjencisë pra është një e drejtë që gëzon autori, nisur dhe nga fakti që një lëvizje të tillë, ligji ynë nuk e ndalon. Thënë kjo, është e qartë se autori do e përdorë këtë të drejtë kryesisht për arsye oportuniteti: ai do të zgjedhë atë agjenci ku ai është më mirë. Mirëpo, kohët e fundit, është vënë re se disa autorë, të nxitur nga bashkëpunëtorë të tyre, kërkojnë të largohen nga agjencitë në Shqipëri dhe të regjistrohen në agjenci të huaja. Edhe pse mund të merret e mirëqenë që autorët largohen në funksion të ndjekjes së interesave më të mira në zhvillimin e karrierës së tyre, arsyet e zgjidhjes së kontratës më agjencinë në Shqipëri, mbeten të paqarta dhe jo aq të volitshme.

Nuk është qëllimi i këtij artikulli të kritikojë autorët për vizionin që kanë ata për agjencitë kolektive, zgjedhja e tyre është e lirë dhe ka pak gjëra që mund të vlejnë më shumë se vetë vullneti i tyre. Megjithatë, disa vërejtje dhe komente duhen bërë, në radhë të parë për të kuptuar se kjo lëvizje e tyre nuk i përmirëson të ardhurat e tyre dhe së dyti, për të treguar se zgjidhja më e mirë është që një autor të jetë pjesë e asaj agjencie, në shtetin e të cilës, ai ka më shumë aktivitet dhe ku veprat e tij përdoren më shumë.

Së pari, anëtarësia në agjencitë në Shqipëri është falas. Nëse në shumë vende, anëtarësia është me pagesë (formulat e të cilës janë të shumëllojshme), në Shqipëri është zgjedhur që të mos zbatohet kjo qasje me autorët, për arsye të ndryshme ku vlen të theksojmë vullnetin e ligjvënësit për të afruar autorët në agjenci dhe së dyti, të ardhurat ende të pakta që agjencitë këtu arrijnë të mbledhin, për shkak të vështirësive organizative dhe strukturore të tregut në Shqipëri. Së dyti, është vënë re se, në rastet kur autori regjistrohet në një agjenci të huaj, të ardhurat që ai do të marrë janë më të ulëta se të ardhurat që do t’i takonin nëse do të ishte regjistruar në agjencinë në Shqipëri. Kjo për arsye se autori duhet t’u bëjë vend bashkëpunëtorëve që përmendëm më sipër, të cilët regjistrohen dhe ata si persona që kanë të drejta mbi vepër, për shembull në cilësinë e “publisher”, edhe pse është e vështirë të gjurmohet një lidhje e tyre me krijimtarinë e autorëve. Së treti, një lëvizje e tillë nuk sjell asnjë të ardhur shtesë për autorin, duke patur parasysh se të ardhurat shtesë sigurohen nga pagesat që do të bëjnë përdoruesit dhe jo nga agjencia ku regjistrohet autori. Sistemi i bashkëpunimit mes agjencive është i tillë që siguron një të ardhur të njëjtë për autorin, pavarësisht vendit ku regjistrohet. Në saj të një mekanizmi teknik të komplikuar monitorimi të përdorimit të veprave, agjencitë arrijnë të përcaktojnë se sa të ardhura iu duhen derdhur autorëve. Agjencitë, pasi përcaktojnë listën e autorëve që duhet të marrin të ardhura, kontaktojnë me agjencitë ku këta autorë janë anëtarë dhe u kalojnë të ardhurat. Dhe kjo vlen në mënyrë të njëjtë, pavarësisht se ku është regjistruar një autor. Me fjalë të tjera, sa më shumë të përdoret një vepër, aq më shumë të ardhura sigurohen prej saj. Dhe këtu qëndron problemi kryesor që hasin agjencitë: në mbledhjen e të ardhurave nga përdorimi i veprave. Konkretisht, pavarësisht se ku regjistrohet një autor, nëse veprat e tij këndohen në koncerte në Shqipëri, të ardhurat e tij do të rriten nëse përdorimi i këngëve të tij në koncerte do të paguhej nga organizatorët te agjencitë, ashtu siç e parashikon dhe ligji. Në këtë rast, do të ishte e udhës që autori të ishte anëtar i agjencisë së vendit ku bëhet koncerti, në mënyrë që dhe ai të nxiste përdoruesit që të paguajnë për përdorimin e veprës së tij: një autor i regjistruar jashtë tregon në fakt, një mungesë interesi për veprat e tij që përdoren në vend. Sigurisht, agjencia do të bëjë punën njësoj, mirëpo prania në gjirin e saj të autorit, veprat e të cilit janë të përhapura, i jep asaj një shtysë edhe më të madhe që të kërkojë prej përdoruesve respektimin e detyrimeve ligjore që ata kanë ndaj autorëve.

Si përfundim dhe bazuar në sa më sipër, mbetet ende mister arsyeja përse autorë shqiptarë regjistrohen në agjenci të huaja, madje kryesisht në agjenci të vendeve ku ata as nuk japin koncerte dhe as nuk janë të njohur. Në pritje të zbardhjes së misterit, do të ishte e udhës që pikëpyetjet më sipër të gjenin përgjigje: edhe misteri do të avullonte edhe autorët do të qartësoheshin.
Oltion Spiro
Drejtor Ekzekutiv
Agjencia Albautor