Të dashur miq të Albautor

13 APR 2020Copyright

Të dashur miq të Albautor

Në kohën e një krize globale dhe pasigurie ekonomike e sociale, në këto ditë të vështira, llojet e ndryshme të arteve, e veçanërisht muzika, janë ndër të vetmet që na kanë qëndruar vazhdimisht pranë, ku kemi gjetur prehje shpirtërore dhe një mënyrë ideale për t’iu larguar sadopak tensionit aktual. Ato janë bërë pjesë e pandashme e ambienteve tona në shtëpi, nëpër ballkone, në mesazhet publike në televizion apo radio, në rrugë e kudo tjetër që të ndodhemi, si një ushqim thelbësor shoqëror, që na mbush shpirtin me shpresë, dashuri, mirëkuptim e reflektim.

Në ditë të rënduara si këto, përveç mjekëve, janë edhe artistët, kompozitorët, shkrimtarët, krijuesit e artit, ushqimit shpirtëror, të cilët me punët e tyre artistike janë shndërruar në forcën e qëndresës tonë psikologjike dhe solidaritetit njerëzor. Krijimtaria artistike është kthyer në oksigjen të domosdoshëm të jetëve tona, ndërsa çdo ditë ushqehemi me art, kinematografi, muzikë, pikturë, për të lehtësuar shpirtin. Nga ana tjetër, ata që e krijojnë dhe shpërndajnë këtë oksigjen, kanë nevojë edhe vetë për oksigjen. Pagesa e të drejtës së autorit është një element thelbësor i ekzistencës së vetë artistëve dhe krijuesve. Në kohën kur tashmë mungojnë koncertet, shfaqjet, aktivitetet artistike, lokalet e argëtimit, etj., televizionet, radiot dhe mjetet e tjera të komunikimit Online, përbëjnë thelbin e përdorimit të së drejtës së autorit dhe të ardhurave për vetë autorët dhe artistët. Pikërisht në këtë kohë duhet të ngremë zërin të gjithë së bashku, për mbrojtjen e të drejtave të krijuesve. Ndërkohë, shumë individë të tjerë, apo përfaqësues të mediave, e injorojnë qëllimisht këtë të drejtë themelore të autorëve, që në thelb përbën bazën e programacionit të secilës media, dhe të cilën e marrin për të mirëqenë e falas. Në kohën kur shumë media korrekte, si Digitalb, News 24, Albtelecom, Club FM, Radio Travel, etj., tregojnë korrektësinë dhe përgjegjësinë e tyre profesionale, duke respektuar shoqërinë e vlerave, shumë të tjera të rëndësishme bashkohen me antivlerën, duke refuzuar të paguajnë të drejtën e autorit, përmes justifikimeve nga më të rëndomtat. Media si RTSH, Klan, Tring, Top Channel, Vizion +, Ora News, A1 Report, e shumë të tjera, përfshirë dhe radiot e tyre respektive që transmetojnë 24 orë muzikë, ende refuzojnë pagesën e të drejtës së autorit, duke shkelur kështu ligjin në mënyrë flagrante, ndërsa nëpërkëmbin dinjitetin e autorëve dhe artistëve.

Të dashur miq,

Koha e abuzimit me të drejtën e autorit po përfundon. Për këtë, na duhet mbështetja e të gjithëve Ju, për të shprehur dhe shpërndarë këtë shqetësim të të gjithë krijuesve shqiptarë. Zhvillimi i pronësisë intelektuale dhe të drejtës së autorit përbën një element thelbësor për zhvillimin ekonomiko-social të çdo vendi, mbron vlerat kombëtare dhe është tregues themelor i funksionimit të shtetit ligjor në fuqi, ndaj sot, më shumë se asnjëherë tjetër, krijuesit shqiptarë duhet të jenë të bashkuar në kërkimin e të drejtave të tyre themelore të autorësisë.

Albautor